A ka thirrë ezan ndonjëherë Muhammedi, alejhi’s selam?

Es Selamu alejkum ve rahmetullahi veberkatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Hoxha im i nderuar, Allahu të ruajt ty dhe të bekoftë në jetën, diturinë dhe kohën tënde! Sot, për herë të parë, mësova diç që më parë nuk e kisha dëgjuar andaj kam nevoje për sqarimin tënd. “Pejgamberi, alejhi’s selam nuk e ka thirre ezanin për një urtësi, të cilën nuk e ka definuar, prerazi, askush, kështu që janë dhënë mendime të ndryshe, si:

  • Pejgamberi, alejhi’s selam ka qenë imam e jo muezzin ngase po ta thërriste ezanin ata që nuk do t’i përgjigjeshin do të bëheshin renegatë.
  • Ai ishte misionar (daii) dhe nuk duhej të dëshmonte për veten.
  • Sikur ta thërriste ezanin dhe të dëshmonte: Dëshmoj se Muhammedi është i dërguar Allahut (Esh’hedu enne Muhammeden Resulullah) të tjerët do të mendonin se dikush tjetër po e thërret ezanin.
  • Është thënë se ezanin e kishte parë në ëndërr një sahabijj andaj atij iu ngarkua kjo detyrë.
  • Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Imami është Garantues (Vëzhgues dhe Mbikëqyrës) ndërsa muezzini është kujdestari (të cilit i është lënë në besë-amanet kujdesia për kohën e namazit). O Zoti im!, udhëzoji imamët dhe fali muezzinët!” ([1]), kështu që amanetin ia ka lënë tjerëve.
  • Muhammedi, alejhi’s selam ishte i zënë dhe nuk mund ta thërriste ezanin.
  • Shejh Izzuddin b. Abdus Selami ka thënë: Pejgamberi, alejhi’s selam nuk e ka thirrë ezanin për arsye se ai, siç është vërtetuar tek Muslimi, kur e bënte një punë, e bënte atë vazhdimisht. Ai, alejhi’s selam, nuk e thirrte ezanin për arsye se ishte i zënë me kumtimin e shpalljes, siç ka thënë Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Po të mos ishte posti i halifes, do ta thirrja ezanin”.

Hoxhë i nderuar, do të isha ndier shumë mirë nëse ju do të kishit dhënë komentet tuaja rreth kësaj!

Përgjigja:

We alejkumus selam ve rahmetullahi ve berekatuhu!

Edhe mbi ju qofshin paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut!

Edhe juve Allahu iu ruajt dhe iu bekoftë në jetën, diturinë dhe kohën tuaj si dhe qoftë i kënaqur me ju!

Për këtë gjë nuk ka ndonjë tekst të prerë por e tëra që thuhet është vetëm përpjekje individuale e dijetarëve.

Kur lexova në fillim se “Ai ishte misionar (daii) dhe nuk duhej të dëshmonte për veten” më shkoi ndërmend, automatikisht, se ai, alejhi’s selam, gjatë hutbeve (ligjëratave të së premtes) dëshmonte për veten e tij, që d.t.th., se argumentimi është i dobët. Edhe mendimi tjetër se “…të tjerët do të mendonin se dikush tjetër po e thërret ezanin”, është i dobët ngase ai kishte dëshmuar pejgamberllëkun për vete.

Ndërsa përkitazi me mendimin se “…se po ta thërriste ezanin ata që nuk do t’i përgjigjeshin do të bëheshin renegatë”, nuk qëndron. Thirrja në Islam është më e madhe se sa thirrja në namaz dhe mos përgjigja në të parën është shumë më e rrezikshme se sa kjo, për të cilën po diskutojmë. Pejgamberi, alejhi’s selam ishte thirrës për tek Allahu andaj çdokush që refuzonte ose nuk i përgjigjej misionit të tij, ishte pabesimtar.

Mendimi “Është thënë se ezanin e kishte parë në ëndërr një sahabijj andaj atij iu ngarkua kjo detyrë” nga vet formulimi i tij është i dobët ngase shprehjet si “kile - është thënë” tek dijetarët identifikojnë vetëm mendimet e dobëta. Pastaj, edhe nga aspekti tjetër, ky mendim cilësohet i dobët për faktin se aprovimi i ezanit është bërë me shpallje-vahj, që automatikisht është bërë moto e tij dhe ummetit të tij, paqja dhe mëshira qofshin mbi të! Aprovimi i Muhammedit, alejhi’s selam për diç është pjesë e legjislacionit islam dhe nuk mund të paramendohet një gjë e tillë siç është thënë në atë mendim.

Mendimi se Muhammedi, alejhi’s selam ishte i zënë është po kështu i papranuar për arsye se ai, alejhi’s selam, qëndronte në I’tikaf gjatë Ramazanit dhe ka patur rastin dhe mundësinë që ta thërras ezanin.

Ndoshta mendimi më i qëlluar është ai i Shejh Izzuddinit edhe pse duket se ka vend për komente tjera. Kjo i ngjan argumentimit të dijetarëve për atë se Muhammedi, alejhi’s selam nuk kishte bërë Umre në Ramazan edhe pse kishte nxitur për të, apo agjërimit të gjashtë ditëve të Shevvalit, për të cilat nxiste edhe pse vet nuk është transmetuar t’i ketë agjëruar ato ditë. Ne shohim se sa shumë njerëzit bëjnë Umren në Ramazan për arsye se Muhammedi, alejhi’s selam nxiti për të andaj sikur edhe vet ta kishte bërë, ajo shifër njerëzish do të shumëfishohej. Dëshmi për këtë është edhe rasti i Ditës së Arafatit e cila para disa vitesh rastisi të jetë Ditën e Xhuma, që po kështu kishte ndodhur edhe në të gjallë të Muhammedit, alejhi’s selam, andaj njerëzit u grumbulluan si jo më parë; ishin shumëfish më shumë.

Urtësia e mos këndimit të ezanit, siç duket, është se Muhammedi, alejhi’s selam ndonjëherë ka nxitur për ndonjë punë por nuk e ka bërë atë për ndonjë arsye-urtësi të caktuar, ngase, po të përputhej fjala e tij me veprën e tij, atëherë ai rit do të ishte shumë më i përforcuar dhe ndoshta në kryerjen e tij njerëzit do të gjenin probleme e vështirësi, apo ndoshta edhe do të luftonin njerëzit për kryerjen e atyre sunneteve (se cili do ta kryente më parë). 

Këtë mendim e përkrah edhe fakti se përputhja e fjalës dhe veprës Ditën e Hajberit kur i urdhëroi që t’i rruanin kokat gati sa nuk shkaktoi konflikt për shkak të ngutisë për ta kryer urdhrin e Muhammedit, alejhi’s selam, siç transmeton Buhariu në Sahihun e tij. 

Pejgamberi, alejhi’s selam nxiti për ezan; sqaroi se “Muezzinët do t’i kenë qafat më të ngritura ne Ditën e Llogarisë([2])”, se ”Po ta dinin njerëzit çfarë vlere ka ezani dhe safi i parë do të hidhnin short([3]) për të”, andaj sikur vepra e tij të përputhej me fjalët e tij, në këtë rast, ndoshta do të vinte deri edhe tek konfrontimi i njerëzve për kryerjen e këtyre sunneteve.

Këto që thashë, nëse janë të qëlluara, atëherë janë nga bekimi i Allahut, ndryshe, janë prej meje dhe harresës apo pështjellimit të shkaktuar nga djalli.

Kërkoj falje nga Allahu dhe pendohem tek Ai, Allahu është më i dijshmi!

Shejh AbduRrahman es Sehim

www.almeshkat. net

Përshtati në shqip: Sedat G. ISLAMI

30-4-2008, e mërkurë

Vushtrri, Kosovë


[1] Transmetojnë Imam Amedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu ndërsa Albani në Sahihu ve daifu suneni Ebi Davud, 517 & Sahihu ve daifu suneni’t Tirmidhijj, 207, e ka cilësuar autentik.

[2] Muslimi.

[3] Buhariu dhe Muslimi.