QËNDRIMI YNË NDAJ ATYRE QË TALLEN ME MUHAMMEDIN, alejhi’s selam

Pejgamberi 2 Komente »

Muhammed b. Salih el-MUNEXH-XHID

Tallja e perëndimorëve me Muhammedin, alejhi’s selam, njeriun më të mirë që ka shkelur në faqen e dheut, na ka shqetësuar të gjithëve. Kjo paturpësi e tyre nuk është e panjohur për ne, dhe kjo, edhe pse na shkakton plagë shpirtërore, megjithatë është një myzhde (sihariq) për shkatërrimin e tyre. Ka thënë Allahu:

“S’ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen”. ([1])

“E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur”. ([2])

Kur muslimanët, në të kaluarën, rrethonin ndonjë kështjellë dhe nuk mund të depërtonin në të, me të dëgjuar të sharat e tyre për Muhammedin, alejhi’s selam, përgëzonin njëri tjetrin për hapjen e shpejtë të asaj kalaje. Dhe ashtu, pas pak kohe, Allahu sillte fitoren dhe muslimanët depërtonin në të si fitimtar. ([3])

Historia është përplot fakte e dëshmi për disfatat e atyre që kanë sharë e ofenduar Muhammedin, alejhi’s selam.

Përse ofendojnë Muhammedin, alejhi’s selam? A për shkak se ftonte në Njëshmërinë e Allahut ndërsa ata nuk besojnë në një gjë të tillë? A për shkak se ai e madhëronte Allahun siç duhej ndërsa ata i përshkruajnë grua e fëmijë? A për shkak se ai ftonte në moral dhe lënien e mendjelehtësisë ndërsa ata duan të zhyten në humnerën e epsheve dhe paturpësive? A për shkak se ai është i dërguar prej Allahut, i zgjedhur prej Tij, për t’ua kumtuar njerëzimit librin e Allahut? A kurrë nuk kane dëgjuar për dëshmitë e profetësisë së tij? A nuk kanë dëgjuar për çarjen e hënës, për daljen e ujit nga gishtat e tij, për Kur’anin-mrekullinë më të madhe të tij, mrekulli që asnjëherë nuk u devijua dhe shtrembërua derisa librat e tyre fetar ata i përpiluan vet duke braktisur origjinalin që Allahu ua pati shpallur. Thotë Allahu:

Është shkatërrim për ata që me duart e veta e shkruajnë librin, e pastaj thonë: “Ky është prej All-llahut”! E për të arritur me të një fitim të paktë, pra është shkatërrim i madh për ta çka shkruan duart e tyre dhe është shkatërrim i madh për ta ajo çka fitojnë”. ([4])

Madje dëshmia më e madhe për vërtetësinë e profetit tonë është ajo se feja e tij, edhe pse kanë kaluar 14 shekuj nga shpallja e saj, ka mbetur e pamposhtur, ashtu siç vet Muhammedi, alejhi’s selam në të gjallë të tij nuk mposhtej kurrë. Urtësia e Allahut refuzon që në tokë, për një periudhë kaq të gjatë, të mbetet ndonjë gënjeshtar apo profet i rremë. Madje, as tridhjete vite nuk i bën e shuhet ajo gënjeshtër. Këtë shumë bukur e kishte vërejtur një mbret, i cili një ditë, derisa mysafir kishte një të krishterë që hante Muhammedin, alejhi’s selam, kishte ftuar dijetarët e fesë së tij dhe i kishte pyetur: Sa mund të qëndrojë një gënjeshtar (në skenë me rrenat e tij)? 30 vjet ose diç më shumë- iu përgjigjën. Si kështu ndërsa feja e Muhammedit ka më shumë se 500 vite që është shpallur dhe nuk është shuar?! D.t.th.: nuk qenka gënjeshtar Muhammedi. Mbreti kur kuptoi këtë, urdhëroi dhe këtij të krishteri gënjeshtar iu pre koka. ([5])

A nuk e dinë këta se shumë dijetarëve, mentarëve e mbretërve të tyre kur iu shkoi e vërteta islame dhe u ndeshen me të, pranuan vërtetësinë e saj?! Madje, prej tyre një numër i madh hynë edhe në Islam. Nexhashiu, mbreti i Etiopisë, kur hasi në kontakt me Islamin, e pranoi atë. Herkali, mbreti romak, kur mori mesazhin Muhammedit, alejhi’s selam, pranoi se profetësia e tij është e vërtetë dhe deshi ta pranonte Islamin e të shkonte tek Pejgamberi, alejhi’s selam dhe t’i shërbente por pati frikë për veten nga ithtarët e fesë së tij kështu që mbeti në atë gjendje, si jomusliman, derisa edhe vdiq i tillë. Pastaj, shumë bashkëkohanikë të këtyre perëndimorëve, edhe sot e kësaj dite, shprehin botërisht një gjë të tillë. Majkëll Hart në librin e tij “100 të përjetshmit”, tashme i përkthyer edhe në shqip([6]), Muhammedin, alejhi’s selam e renditi të parin dhe këtë radhitje e arsyeton me: “E kam renditur të parin Muhammedin ngase ai ka qenë njeriu i vetëm në historinë e njerëzimit që ka arritur një sukses dhe triumf absolut në nivel fetar e botëror”.

Bernard Show, në librin e tij “Muhammedi, që u dogj nga qeveria britanike, në mes tjerash thotë: Sa shumë nevojë ka bota për një njeri që mendon sikurse Muhammedi! Klerikët e shekujve të mesjetës, si rezultat i injorancës dhe fanatizmit të tyre, patën dhënë një imazh të shëmtuar të fesë së Muhammedit. Ata konsideronin se ai ishte armik i krishterimit, por unë, pas shfletimit rreth këtij burri, jam mahnitur dhe kam përfunduar se ai jo që nuk është armik i krishterimit, përkundrazi, ai është shpëtues i njerëzimit. Unë mendoj se sikur ky burrë sot të merrte në dorë çështjet e botës bashkëkohore, do t’i zgjidhte problemet duke siguruar paqe dhe lumturi, gjëra që aq shumë i ëndërron njerëzimi”.

Anie Besant, në “The Life and Teaching od Muhammed, Madras“, 1932, thotë: “Çdo njeri, që e studion jetën, karakterin, nivelin e të mësuarit dhe mënyrën e jetesës së përditshme të Pejgamberit arab, Muhammedit, alejhi’s selam, është e pamundur të ndiejë diçka tjetër, përveç admirimit të jashtëzakonshë m m ndaj tij, si njëri nga pejgamberët më të mëdhenj të njerëzimit.“

Lamartini, njëri nga poetët më të mëdhenj të Francës, për madhështinë e Muhammedit a.s., në “Historia de la Turqiue“, shkruan: “Kurrë njeriu nuk i ka venë vetes, vullnetarisht apo detyrimisht, qëllim më të lartë… Të rrënohen besëtytnitë, që ishin vënë ndërmjet njeriut dhe Krijuesit… Që njeriu t`i kthehet Zotit dhe të përtërihet ideja e arsyeshme dhe e pakontestueshme mbi hyjninë, në kohën e kaosit, të materializmit dhe të vizioneve idhujtare rreth Zotit, të cilat ekzistonin atëherë.

Leon Nikolajeviq Tolstoi, shkrimtar i madh rus, në traktatin “Pejgamberi urtiplotë Muhammed“, veç të tjerash, thotë: “Nuk ka dyshim, se pejgamberi Muhammed, është njëri ndër reformatorët më të mëdhenj të njerëzimit. Atij i takon lavdia më e madhe, që e udhëzoi njerëzimin në dritën e vërtetë, në drejtësi dhe paqe. Ai pengoi gjakderdhjen e të pafajshmëve dhe hapi rrugën e përparimit dhe prosperitetit. Këtë vepër të madhe, nuk ka mundur ta bëjë askush tjetër, përveç atij njeriu, i cili është i denjë për çdo respekt, admirim dhe konsideratë.”

 Napoleon Bonaparti, thotë: “Musai (Mojsiu), ia ka shpallur fenë e Zotit, popullit të vet, Isai (Jezusi) botës romake, kurse Muhammedi a.s., tërë botës. Arabia ishte vend pagan. Gjashtë shekuj pas Isait, Muhammedi e njohu botën me besimin në Një Zot të Vetëm, që është Zoti i Ibrahimit, i Musait dhe i Isait. Arianët dhe sektarët e tjerë, e çoroditën botën me diskutime për trinitetin: Atin, birin dhe shpirtin e shenjtë. Ndërkaq, Muhammedi, shpalli se Zoti është Një, kurse triniteti imponon idenë e idhujtarisë.“

Princi Otto Von Bismark, politikan dhe burrë i madh shteti, themeluesi i Gjermanisë, i cili njihet në popull si “Udhëheqësi i Hekurt“, thotë: “Muhammedi a.s. është personaliteti i jashtëzakonshë m. Jo rastësisht, Zoti nuk nxori ndonjë tjetër në skenën e ngjarjeve botërore. Muhammed, më vjen keq që s`isha bashkëkohësi yt. Ky libër, mësues dhe përhapës i të cilit je ti, s`është libri yt. Ai është libër Hyjnor. Të mohosh burimin e tij është aq qesharake, sa edhe të pretendosh pasaktësinë e shkencave ekzakte. Prandaj njerëzimi, vetëm një herë, ka parë një figurë të tillë unikale, siç ishe ti dhe më s`do të ketë rastin të shohë (të ngjashëm). Unë, me respektin më të madh, përulem, para paraqitjes tënde të madhërishme.“ 

Simon Ocklay dhe Edvard Gibon, në “Historia e Perandorisë Saraçene“ Londër 1870, f. 54, shkruajnë: “Admirimin tonë e meriton besimi i përhershëm i Pejgamberit a.s., si para ashtu edhe pas fitores. Deri më sot, pas gjithë atyre shekujve zhvillimi e përparimi, ideja mbi Zotin Një, nuk ka mundur të errësohet me kurrfarë idhujsh dhe as jeta e tij e virtytshme nuk është vënë në dyshim, e përmbajtja e asaj jete është: Besimi në Zot dhe sjellja etike.

Prof. Bevan: “Ajo që është shkruar, për Muhammedin a.s. dhe Islamin, në Evropë, në të shumtën e rasteve, duhet të merret si kuriozitet letrar. Të flasësh për Muhammedin a.s., si mashtrues dhe përdorues të forcës, më shumë shkakton probleme, se sa i zgjidh ato. Në Perëndim, asnjë figurë e madhe, gjatë gjithë historisë, nuk është vlerësuar me aq tendenca dashakeqe, sikurse është vepruar me Muhammedin a.s.([7]).

Njerëzimi duhet të mburret me faktin që nga radhët e tij është Muhammedi. Ai,edhe pse analfabet, para shumë shekujsh arriti që të sjell ligj, që ne, evropianet po të arrinim në maje të tij, do të ishim më të lumturit”- thanë disa perëndimorë.

Është turp sot për çdo njeri të dëgjoj dhe t’iu besoj fjalëve që thonë se feja islame është gënjeshtër dhe se Muhammedi është tradhtar e shpifës”- thoshte Tomasi, një filozof anglez.

Gëte, thotë: Ne evropianët, me të gjitha botëkuptimet, nuk kemi arritur ende atje ku ka arritur Muhammedi, dhe kurrë askush nuk do t’ia kalojë. Në histori, kërkova shembullin e një njeriu të shkëlqyer, e atë e gjeta te Muhammedi. Kështu u desh të triumfonte e vërteta sikur që triumfoi Muhammedi, i cili tërë botën e nënshtroi me fjalën e Njëshmërisë  së Allahut”.

Nëse puna qenka kështu, atëherë tërë botës i mbetet detyrim që madhështinë e Muhammedit ta vlerësojnë mbi çdo madhështi të krijesave, vlerën e tij mbi çdo vlerë, respektin e tij mbi çdo respekt; e tërë bota duhet të besoj në fenë e tij dhe se ai është pejgamberi i fundit.

Ne, shfrytëzojmë rastin që ata t’i ftojmë në Islam ngase ato mëkate me te cilat përlyen zemrat e tyre nuk pastrohen vetëm se duke përqafuar Islamin. Ndryshe, dënimi i dhembshëm i prêt ata. Thotë Allahu:

… ai që i përshkruan Zotit shok, All-llahu ia ka ndaluar (ia ka bërë haram) atij xhennetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës”. ([8])

E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshëpruarit”. ([9])

Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:

Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk dëgjon askush prej këtij ummeti për mua; çifut apo i krishterë qofte, e pastaj vdes duke mos besuar në atë me të cilën u dërgova e të mos jetë prej banorëve të përhershëm të zjarrit (Xhehennemit)”. ([10])

***

Allahu është i urtë dhe nuk cakton gjëra të cilat, absolutisht, janë të këqija. Patjetër se në të duhet të fshihet një e mirë për krijesat sado që të duken se janë të këqija. Të vërtetën e ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam:

E çuditshme është çështja e besimtarit. Çështja e tij është krejt mirë për të dhe nuk është e tillë për as­kënd tjetër. Nëse besimtarin e godet gëzimi, ai falënderon (All-llahun) , e kjo i sjell dobi, kurse nëse e godet e keqja, ai bën durim (sabër) andaj edhe kjo i sjell dobi”. ([11])

Përkitazi me ngjarjen e Ifkut (shpifjes për Aishen, gruan e Muhammedit, alejhi’s selam) Allahu ka thënë:

…Ju mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju, përkundrazi, ajo do të jetë në dobinë tuaj. Secilit prej tyre do t’i takojë dënimi sipas pjesëmarrjes në mëkat, e atij prej tyre që e barti pjesën e madhe (të shpifjes), i takon dënimi i madh”. ([12])

Disa mësime nga këto krime dhe mëkate

1.      Shfaqja e armiqësisë së tyre ndaj muslimanëve dhe urrejtjes së madhe për ta edhe pse shpesh herë e trumbetojnë paqen. Thotë Allahu:

…Urrejta kundër jush duket nga gojët e tyre, por ajo që fshehin në gjoksat tyre është edhe më e madhe…”. ([13])

2.      Zbulimi i të metave të peshoreve perëndimore. Ata argumentojnë me “lirinë e mendimit” ndërsa çdo i mençur e di se kjo liri ndalet tek nderi i tjetrit dhe padrejtësia ndaj tij. D.t.th.: nëse shkel nderin e tjetrit ajo nuk është liri por është shpifje. Ata janë gënjeshtarë në pretendimet e tyre. Ne të gjithë e dimë se para pak vitesh kur një qeveri deshi t’i shkatërronte putat dhe statujat në vendin e vet, e tërë bota ishte ngritur në këmbë dhe kishte kundërshtuar. A nuk qe edhe ai mendim i lirë? A nuk patën ata lirinë e duhur? Përse këtë bota nuk e konsideroi si liri?

3.      Kotësia e motos së disa properëndimorë ve muslimanë se “Mos i quani jomuslimanët pabesimtarë por thërrisni “Të tjerët” ngase kështu ndizet zjarri i konfliktit në mes nesh dhe atyre”. Le ta dinë të gjithë se kush urren tjetrin, kush cenon nderin  e tjetrit dhe kush i shpall luftë sa herë që i vie shansi?

4.      Pretendimet e tyre për “Dialog kulturash” janë të rrejshme. Çfarë dialogu duan? Çfarë respekti pretendojnë? Ata duan t’i respektojmë ndërsa ndaj nesh vetëm sa shtojnë talljen, përqeshjen dhe padrejtësitë.

5.      Ringjallja e rrënjëve të besimit në zemrat e muslimanëve. Reagimet e muslimanëve tregojnë qartazi qëndrueshmërinë e fortë të besimit në zemra dhe dashurinë e madhe të tyre për Muhammedin, alejhi’s selam, madje edhe tek ata që nuk përfillin shumë obligimet fetar.

6.      Unifikimi i radhëve të muslimanëve. Ne pamë se si muslimanë nga vende të ndryshme mohuan këtë gjë.

7.      Aleanca perëndimore kundër Islamit. Shumë shtete perëndimore mbanin anën e Danimarkës dhe porositnin kriminelët që t’i publikonin këto foto në gazetat e tyre, për tua bërë me dije muslimanëve kështu se të gjithë ata janë nga një gropë e vetme dhe se ne nuk mund t’iu bëjmë ballë që të gjithëve.

8.      Kureshtjen e muslimanëve për përhapjen e fesë islame. Ne pamë shumë muslimanë duke nxituar në publikimin e librave në gjuhë të huaja përkitazi me jetën dhe veprimtarinë e bujshme të Muhammedit, alejhi’s selam.

9.      Rëndësia e bojkotit të produkteve të vendeve që fyejnë Muhammedin, alejhi’s selam. Kryeredaktori i asaj gazete, nëe emë të gazetës, pas vetëm disa ditësh pas bojkotit, doli dhe kërkoi falje dhe ndërroi stilin e të folurit, duke zbutur kështu sado pak muslimanët. Kjo njëhërit është armë e re e muslimanëve, me të cilën munden të ndikojnë tek armiqtë e tyre.

10.      Dërgimi i një mesazhi të qartë perendimit se ne nuk duam që feja jonë të përqeshet, dhe Pejgamberi ynë, alejhi’s selam, të jetë objekt talljeje.

Roli ynë

1.      Mohimi i një gjëje të tillë nga secili musliman sipas mundësisë që ka.

2.      Kërkesa që ata të kërkojnë falje të sinqerte dhe ta pranojnë faktin se kanë shkelur parimet, kanë bërë gabim dhe se për këtë gabim duhet të kërkojnë falje.

3.      Duhet të kërkojmë prej tyre ndëshkimin e fajtorëve.

4.      Duhet të kërkojmë që qeveritë e tyre të heqin dorë nga armiqësia që kanë për Islamin.

5.      Përkthimi i librave në gjuhë të tyre që do t’ua mundësonte atyre njohjen me fenë islame.

6.      Mbajtja e programeve fetare në radio dhe televizion ku tema shtjellimi do të ishin personaliteti i Muhammedit, alejhi’s selam dhe mbrojtja e tij.

7.      Shkrimi i artikujve përkitazi me këtë gjë dhe publikimi i tyre në çdo mjet informimi, elektronik apo i shkruar qoftë.

8.      Bojkotimi i produkteve të tyre nëse kjo gjë ndikon pozitivisht.

9.      Qasja këtyre grupeve vagabondë që shkelin parimet morale dhe akuzojnë Islamin duke ua sqaruar mirësitë e kësaj feje, përputhjen me logjikën dhe demantimin e çfarëdo dyshimi që vjen nga jashtë.

10.  Mbajtja për traditës së Muhammedit, alejhi’s selam dhe durimi gjatë kësaj rruge. Allahu thotë:

… Po, në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe ruheni (mëkateve), dinakëria e tyre nuk do t’u dëmtojë aspak...”. ([14])

11.      Kureshtja për t’i ftuar në Islam. Nëse ne i shikojmë me sy hidhërimi për shkak të mëkatit, megjithatë, si krijesa të Allahut, i shikojmë me sy mëshire dhe duam që edhe ata, me gjithë mëkatet që kanë bërë, të vijnë në rrugën e pendimit, t’i bashkohen karvanit islam dhe të shpëtojnë kështu.

E lusim Allahun ta lartësojë fenë e Tij, të ndihmojë të dashurit e Tij, të mposht armiqtë e Tij ngase Ai ka fuqi mbi çdo gjë!

Përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin!

Burimi: www.islamhouse. com

Përshtati në shqip: Sedat G. ISLAMI

23-2-2008, e shtunë

Vushtrri, Kosovë



[1] el-Hixhr, 95

[2] el-Keuther, 3

[3] es-Sarimu’l meslul, f. 116-117

[4] el-Bekare, 79

[5] Sherhu’l akideti’l esfihanijjeh, Ibni Tejmije.

[6] Ne shqip është titulluar: “100 personalitetet me me ndikim ne histori”.

[7] Keto thenie deri ketu jane huazar nga nje punim I Ajni Sinanit me kete tematike, qe nje sosh prej tyre edhe autori i permend. Per te qene tema me me ndikim, e pashe te udhes andaj edhe i huazova.

[8] el-Maide, 72

[9] Ali Imran, 85

[10] Muslimi

[11] Muslimi

[12] en-Nur, 11

[13] Ali Imran, 118

[14] Ali Imran, 120

MOS SHANI MUHAMMEDIN

Poezi islame 0 Komente »


Përse shani e ofendoni

njeriun e dërguar pejgamber

përse shqetësoni muslimanët

e ju njerëz të mjerë


Përse nuk pushojnë gjuhët së shari

njeriun që me mëshirë u dërgua

përse s’ndaloni njëherë

Të vërtetën për ta studiuar


A shante ai,

apo a ofendonte

misioni i tij për moralin

me çka e urdhëronte


Ai ndaloi ofendimin

urreu e nënçmoi sharjen

përbuzi mallkimin

dhe mohoi përçarjen


Ai na mësoi

se nuk bën të shash njeri

ngase që të gjithë ata

janë krijuar nga i Madhi Perëndi


Ai tha për Isain, të birin e Merjemes

që ju për Zot a bir të Zotit e besoni

e kam vëlla në fe

nuk bën ta ofendoni


E shqetësonin me fjalë

e rëndonin me fyerje

sprovohej vështirë çdoherë

“jam dërguar mëshire” thoshte ky pejgamber


Allahu mëshirë më dërgoi

mallkimin ma ndaloi

butësinë dhe mirësjelljen

me Kur’an m’i urdhëroi


Nëse Muhammedi

askënd nuk paska ofenduar

atëherë çfarë shtyn këta njerëz

atë për ta shqetësuar


Sedat G. ISLAMI

16-2-2008, e shtunë

Vushtrri, Kosovë

REBIUL EVVELI NË JETËN E MUHAMMEDIT, alejhi’s selam

Pejgamberi 0 Komente »

Sedat ISLAMI

Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të qiejve dhe tokës ndërsa përshëndetjet qofshin mbi zotëriun e njerëzimit, Muhammedi, familjen, shokët dhe mbarë pasuesit e tij gjer në amshim !

 “Sa shumë nevojë ka bota për një njeri që mendon sikurse Muhammedi! Klerikët e shekujve të mesjetës, si rezultat i injorancës dhe fanatizmit të tyre, patën dhënë një imazh të shëmtuar të fesë së Muhammedit. Ata konsideronin se ai ishte armik i krishterimit, por unë, pas shfletimit rreth këtij burri, jam mahnitur dhe kam përfunduar se ai jo që nuk është armik i krishterimit, përkundrazi, ai është shpëtues i njerëzimit. Unë mendoj se sikur ky burrë sot të merrte në dorë çështjet e botës bashkëkohore, do t’i zgjidhte problemet duke siguruar paqe dhe lumturi, gjëra që aq shumë i ëndërron njerëzimi”.

Këto fjalë jo rastësisht janë caktuar të jenë fillim i kësaj ligjërate përkitazi me Muhammedin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Arsyeja e tyre është shumë fisnike. Ato nuk janë fjalë të Kur’anit, nuk janë as lëvdata të muslimanëve; ato janë fjalë të një shkencëtari evropian por jo musliman, që sot, kur bashkëkontinentalistë të tij, nëse mund t’i quaj kështu disa evropianë të tjerë, të nxitur e stimuluar nga qëllime e moto banale, fyejnë dhe shajnë njeriun, që Bernard Shou, thanësi i fjalëve më lartë, e lëvdoi shumë. Edhe pse ka dekada që Bernardi ka vdekur, fati i librit të tij “djegie me urdhër të qeverisë” disi të bën të kuptosh se ky fenomen paska një zingjirë të gjatë.

Muaji Rebiul Evvel është i një rëndësie të veçantë për arsye se në historinë islame paraqet një trekëndësh ngjarjesh madhështore, jo vetëm për ne, muslimanët, por edhe për tërë njerëzimin, si në aspektin kohor po ashtu edhe në atë përmbajtjesor. Më konkretisht,  në këtë muaj lindi, në këtë muaj arriti në Medine (përmbylli me sukses hixhretin) dhe në këtë muaj vdiq([1]) Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të([2]).

Këto tri ngjarje në vete ngërthejnë një arsenal të tërë ndryshimesh shoqërore, morale, edukative dhe arsimore por jo gjithnjë pozitive, dhe rrjedhimisht, shkaktojnë një trazim, përzierje dhe tundje ndjenjash. Them kështu ngase, nëse me lindjen e tij i është dhënë fund injorancës, besëtytnive, dhunës…, me vdekjen e tij këto janë rishfaqur prapë në skene, siç do të mësojmë në vijim.

Le të jetojmë ca çaste bashkë me lindjen e Muhammedit, alejhi’s selam dhe të shohim madhështinë e kësaj ngjarjeje nëpërmjet vrojtimit dhe studimit të ndodhive që u shënuan në atë kohë, qoftë pak para lindjes apo edhe pas lindjes së tij.

Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi te, lindi pas ndodhisë së Elefantit, e cila është simbolikë e luftës së Ebrehesë, mbretit të Jemenit për shkatërrimin e Qabesë, Shtëpisë së Allahut, luftë kjo që përfundoi me pësimin fatal të ushtrisë së Eberehesë. Ne këtë luftë, Allahu sikur paralajmëroi fillimin e rënies së perandorisë së politeizmit, shkatërrimin e kalasë së besëtytnisë, shembjen e murit të injorancës. Këtë proces madhështor, Allahu ia ngarkoi njeriut që sapo erdhi në dynja. Ai duhej të ndërtonte fortifikatën e monoteizmit në tokë dhe duhej të hapte shtigjet drejt diturisë dhe arsimimit. Thotë Allahu:

Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). 3. Lexo! Se Zoti yt është më bujari! 4. Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. 5. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. ([3])

Lindjen e Muhammedit, alejhi’s selam, e përcollën edhe ngjarje tjera me rëndësi, prej të cilave do të veçoja:

- Xhinët, që deri më parë kishin mundësinë të depërtonin deri në sferat më të thella të hapësirës dhe të dëgjonin lajmet e qiellit, me lindjen e Muhammedit, alejhi’s selam u privuan nga kjo mundësi, që, në një mënyrë a tjetër, vërteton faktin e pamohuar se feja që do të predikohet nga ky i porsalindur do të jetë e ruajtur përherë nga Allahu, fat jo edhe i shpalljeve të mëhershme. Allahu thotë:

Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”. ([4])

- Fikja e zjarreve të Persisë reflekton zhdukjen e të kotës, pavërtetës, mashtrimit dhe mbizotërimin e së vërtetës. Allahu i tha Muhammedit, alejhi’s selam:

Dhe thuaj: “Erdhi e vërteta e u zhduk e kota”. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur”. ([5])

- Ndriçimi i pallateve të vendeve përreth dhe të Basrasë padyshim se paralajmëron të vërtetën e pamposhtur të përhapjes së Islamit anekënd botës, siç është vërtetuar edhe nga thënie profetike autentike. Theubani transmeton se Pejgamberi, alejhi’s  selam, ka thënë:

Allahu ma bashkoi-afroi tokën kështu që pashë lindjen dhe perëndimin e saj (tërë tokën). Pushteti i ummetit tim do të arrijë në tërë atë që mu bashkua (afrua apo pashë)“. ([6])

- Lindja e Muhammedit, alejhi’s selam botën femërore e gjeti në mjerim. Femra, përveç që ishte e diskriminuar në shoqëri, ajo, jo rrallë, nuk gëzonte as të drejtën e jetës, madje qysh nga fëmijëria e hershme, e drejtë kjo që i shuhej në format më brutale: Varrosje duke qenë gjallë. Lindja e tij sikur barkës së botës femërore, që gati ishte të fundosej, ia shtriu litarin e ndihmës dhe e nxori në bregdetin e njerëzisë dhe lirisë së pacenuar. Më thjesht, në ditën e lindjes së Muhammedit, alejhi’s selam, u lirua nga robëria shërbëtorja e Ebu Lehebit, xhaxhait të Muhammedit, alejhi’s selam, e cila i kishte marrë myzhde zotëriut të saj për lindjen e nipit, Muhammedit, alejhi’s selam.

Dhe praktikisht, gëzimi i kësaj femre, e së bashku me të edhe i tërë botës femërore, nuk do kthehej në vaj dhe pikëllim kurrë siç ishte më parë ngase feja e kësaj foshnje të ndritur përcaktonte barazinë e gjinive, pra barazinë  e meshkujve dhe femrave. Allahu ka thënë:

Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t’ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t’i vejë në xhennete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e All-llahut, se më i miri i shpërblimeve është tek All-llahu”. ([7])

- Lindja e tij jetim pa baba e më pas mbetja edhe pa nënë, mbase në radhë të parë forcon identitetin moral të krejt atyre fëmijëve që patën këtë fat. Sot, fëmijët e dëshmorëve të luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb, të lënë disi pas dore nga të tjerët, duhet të ndalen për pak kohë dhe të mësojnë se sikur që Allahu mori nën kujdes Muhammedin, alejhi’s selam, po kështu, edhe ata do të jenë nën kujdesin e Tij, i Madhëruar dhe Lartësuar qofte Ai! Thotë Allahu:

A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje)”. ([8])

- Një ngjarje tjetër, e cila ndodhi në rininë e hershme të Muhammedit, alejhi’s selam dhe që sot, atakon akuzat e rreme të shpifësve dhe dashakëqijve të tij, është edhe ndërtimi i Qabesë. Injoranca e arabëve shpesh ishte shkak konflikti. Se kush do ta vënte Gurin e Zi në Qabe pas riparimit të saj ishte bërë mollë sherri. Derisa djalli kishte ndezur zjarrin e armiqësisë dhe konfliktit i dilte tymi, uji i diturisë, butësisë dhe largpamësisë së Muhammedit, alejhi’s selam e fiku atë. “Merreni një pëlhurë, vendoseni gurin në të e pastaj të gjithë kapeni atë pelhurë. Kështu konsiderohet se secili prej jush e ka vënë gurin”- i mësoi Muhammedi, alejhi’s selam.

Kjo ndodhi para se ai të bëhej pejgamber. Andaj, nëse një gjë e tillë ka qenë agjendë e përhershme e tij, edhe pa qenë pejgamber, si mund t’i mohohet kjo mirësi dhe ky tipar pas kësaj periudhe kur ishte stolisur me urtësi kur’anore?!

Ndoshta Bernardi, i fascinuar nga kjo ngjarje, konstatoi sinqeritetin e tij dhe dyfytyrësinë dhe hipokrizinë e huliganëve dhe bastardëve që shpifin për të.

***

Ky muaj, siç thamë edhe më parë, është muaj reformash shpirtërore e shoqërore. Diagonalja b. (nr. 2) e këtij trekëndëshi quhet Hixhret (migrim nga Mekka në Medine). Se Hixhreti ka rëndësi të madhe dëshmojnë shumë fakte. Hixhreti nuk ishte vetëm lirim nga ngatërresat dhe trazirat, por ka pasur edhe domethënie përkrahjeje dhe bashkëpunimi në ven­dos­jen e the­meleve të një shoqërie të re në një vend të sigurt([9]). Karta e Medinës e lidhur nga muslimanët dhe pjesëtaret e feve tjera sigurisht se është dëshmi e gjallë e kësaj reforme. Krijohej një shtet me ligj e rend ku secili kishte të drejta por edhe detyrime.

Hixhreti, njihej si epoka e luftës zyrtare apo quaje shtetërore kundër së keqes dhe besimeve të gabuara, në njërën anë, dhe lirisë së pakufizuar në praktikumin e fesë, në anën tjetër. Nëse deri dje në Mekke nuk guxonin ta falnin namazin publikisht, tani kishin dy xhami; atë të Kubasë dhe atë të Medinës.

***

Ndryshimet nuk dinë të ndalur dhe këtu nuk synojmë t’i përfshijmë ato andaj kjo që thamë për këtë diagonale, mendojmë se mjafton, për të kaluar kështu tek diagonalja c. (nr. 3) e cila dallon nga dy të parat. Kjo sikur është tunduesja e ndjenjave. Gëzimin e lindjes e përzien me lotët e ndarjes fizike nga Muhammedi, alejhi’s selam. Pikërisht në këtë muaj para 1418 vitesh ndërroi jetë Muhammedi, alejhi’s selam.

Vërtet janë të pa përshkruara pasojat e vdekjes së tij, sidomos tani në kohën moderne, për çka janë bindur edhe ithtarët e feve tjera. Fjalët e Bernardit, respektivisht pjesa e fundit e tyre “Unë mendoj se sikur ky burrë sot të merrte në dorë çështjet e botës bashkëkohore, do t’i zgjidhte problemet duke siguruar paqe dhe lumturi, gjëra që aq shumë i ëndërron njerëzimi””- e dëshmojnë qartë këtë.

Megjithatë, një gjë të tillë e kishte paralajmëruar edhe vet Muhammedi, alejhi’s selam.

Kur dikë ta godet ndonjë fatkeqësi le ta përkujtojë fatkeqësinë që e ka goditur nga vdekja ime ngase ajo është fatkeqësia më e madhe“. ([10])

Pasojat janë të çdo natyre. Injoranca që dje u dogj, sot nga hiri krijoi flakë. Armiqësia që dje u shua sot u ndez prapë. Fantaiymi racor a fisnor që dje u shkul me rrënjë, sot ngreu kokën mbi dhe. Besimi i drejte, i themeluar nga Kur’ani dhe tradita e tij tani kishte rivalë të padenjë; fraksionet degjeneruese kishin vërshuar shtetin islam. Shteti Islam që dje dinte të çlironte dhe të hapte vende duke liruar njerëzit nga robëria e njerëzve, pas vdekjes së tij, alejhi’s selam, kishte filluar të marrë plagë, që më vone do t’i kushtonin me fatalitet.

Nëse femra dje u gëzua me lindjen e këtij burri të madh, këtij Pejgamberi të pashoq, sot kur në këtë muaj përveç lindjes përkujton edhe vdekjen e tij, sigurisht se do të ndihet keq. Një keqardhje të tillë duhet ta ndiejnë edhe femrat kosovare ngase atyre, siç shihet nga aktualiteti, kjo gjë u ka shkaktuar vuajtje më së shumti. Kur e them këtë kam parasysh statistikat e trafikimit të motrave dhe bijave tona shqiptare, që nga viti në vit rriten dhe alarmojnë rrezikun e fundosjes morale të shoqërisë sonë të re. Deri më tani listës së femrave të trafikuara i kanë prirë femrat e huaja ndërsa tani kryesojnë listën femrat kosovare. Statistikat për viktimat e trafikimit gjatë vitit 2007 tregojnë se nr. i viktimave të identifikuara është më së shumti nga Kosova. Më konkretisht, shifrat janë siç vijon: Moldavi = 3, Shqipëri = 9, Kosovë = 18, Ukrainë = 1, Maqedoni = 1, vende tjera = 1([11]).

Përmbyllje

Një muaj që përfshin këto tri periudha kaq të rëndësishme për historinë e një bashkësie besimtarësh, afër ose mbi dy miliardë njerëzish, meriton një qasje serioze dhe trajtim adekuat. Kalimi i tij pa përfituar nga këta thesare urtësish vërtet do të ishte disfatë mbi disfatë.

Sigurisht se një manifestim sikur ky jo që nuk i del haku personalitetit të Muhammedit, alejhi’s selam, këtij burri që na nxori nga injoranca në dritë, nga humnera e besëtytnive në parajsën e besimit, por as juve, të nderuar qytetare, me kaq nuk ua kryejmë borxhin që kemi ndaj jush. Me shpresë se viteve në vijim ky manifestim do të jetë më gjithëpërfshirë s, e ndoshta edhe në nivel shtetëror, pranoj me plot ndërgjegje detyrën për të folur më shumë për këtë burrë por, ju lutem, pranoni edhe ju detyrën që të mësoni më shumë për të!

Faleminderit për vëmendje dhe urime Ditëlindja e Muhammedit, alejhi’s selam, në njërën anë, dhe ngushëllime për vdekjen e tij, në anën tjetër!

17 mars 2008, e hënë

Vushtrri, Kosovë



[1] Shih: Nektari i vulosur i Xhennetit, Safijurrahman el-Mubarekfuri, Prishtinë, 200,f.: 58, 199, 561.

[2] Po kështu, këto ngjarje deri diku janë përputhur edhe në ditën që lindi. Sipas asaj që shkroi S. Mubarekfuri, Muhammedi, alejhi’s selam lindi ditën e hënë, shpallja e Kur’anit filloi ditën e hënë, arriti në Kubba këtë ditë dhe vdiq këtë ditë. Shih: Nektari i vulosur i Xhennetit, f.: 56, 69, 192, 545.

[3] el-Alek, 1-5

[4] el-Hixhr, 9

[5] el-Isra, 81

[6] Muslimi

[7] Ali Imran, 195

[8] ed-Duha, 6

[9] Shih: Nektari i vulosur i Xhennetit, Safijurrahman el-Mubarekfuri, f.: 207.

[10] Transmeton Daremiu në Sunenin e tij dhe Ibni Sa’di. Shejh Albani, pasi që sjell dëshmi për këtë hadith, thotë se ai është autentik. Shih: Silsiletu’s sahihah, 1106.

[11] Këto të dhëna janë marrë nga një seminar me liderë religjiozë, muslimanë e të krishterë, përkitazi me ndalimin e trafikimit të qenieve të gjalla. Seminari “Partneriteti kundër trafikimit me qenie njerëzore – PATH” është organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, USAID, Qeveria e Kosovës, Karitasi francez, Kisha Katolike, CRS, dhe atë gjatë 26-27 shkurtit, 2008 në lokalet e vilës Pikniku në Prishtinë.

100 VEÇORI TË MUHAMMEDIT, ALEJHI’S SELAM

Hadithe, Komente hadithesh, Libra hadithesh, Personalitete, SIRE 0 Komente »

Kjo është rezymeja e 100 veçorive me të cilat Muhammedi, alejhi’s selam u shqua nga pejgamberët tjerë.

A) Gjëra me të cilat Allahu e nderoi atë personalisht në këtë dynja.

1.      Mori besë për të nga të gjithë pejgamberët, alejhimu’s selam se do ta besojnë.

2.      Ithtarët e librit (çifutët dhe të krishterët) ishin në dijeni të plotë për të.

3.      Ishte pejgamber kur Ademit, alejhi’s selam ende nuk i qe dhënë shpirti.

4.      Ishte i pari i muslimanëve.

5.      Ishte vula e pejgamberëve, alejhimu’s selam.

6.      Ishte pejgamberi i fesë islame.

7.      Kishte më shumë të drejtë në pejgamberë se sa popujt e tyre.

8.      Kishte më shumë të drejtë në muslimanët se sa ata në vetveten e tyre ndërsa gratë e tij ishin nëna të besimtarëve.

9.      Ishte dhuratë, që Allahu ua dhuroi njerëzimit.

10.      Ishte krijesa më e mirë dhe zotëriu i njerëzimit.

11.      Respekti dhe dhënia e besës atij është sikurse respekti dhe dhënia e besës Allahut Fuqiplotë.

12.      Besimi në të është paralel me besimin në Allahun.

13.      Është mëshirë për mbarë botët.

14.      Është ruajtës për ummetin e vet.

15.      Shpallja e tij është gjithëpërfshirë se.

16.      Allahu e ka marrë përsipër ruajtjen dhe mbrojtjen e tij.

17.      Allahu ka garantuar ruajtjen e fesë së tij.

18.      Betimi në jetën e tij.

19.      Betimi në qytetin e tij.

20.      Betimi për të.

21.      Nuk e ka thirre në emër.

22.      Është përmendur i pari prej pejgamberëve.

23.      Ndalimi që të thirret në emër.

24.      Nuk ngritet zëri mbi zërin e tij.

25.      Dhënia e sadakasë para se të flisnin me të por kjo më vonë u anulua.

26.      Allahu e ka bërë dritë-nur.

27.      Një pjesë e legjislacionit të tij është obliguar në qiell.

28.      Përgjigjen për të e ka marrë përsipër Allahu.

29.      Vazhdimi i rënies salavat për të.

30.      Israja dhe Miraxhi me të.

31.      Mrekullitë e tij.

32.      Allahu ia ka falur të gjitha mëkatet.

33.      Depozitimi i lutjes së tij për Ditën e Kiametit.

34.      I janë dhënë fjalët e shkurtra por kuptimplota (oratoria).

35.      I janë dhënë çelësat e pasurisë së tokës.

36.      Karini (xhini shoqërues) i tij e ka pranuar Islamin.

37.      Është ndihmuar me frikë kundër armikut në distancën një mujore.

38.      Dëshmia e Allahut dhe melaikeve për të.

39.      Pozita e tij si imam i pejgamberëve në Kuds.

40.      Shekulli i tij shekulli më i mirë i njerëzimit.

41.      Sipërfaqja në mes shtëpisë dhe minberit të tij është kopsht prej kopshteve të Xhennetit.

42.      Çarja e hënës i është dhënë si mrekulli.

43.      Sheh edhe pas shpine.

44.      Ëndrrat e tij janë të vërteta.

45.      I janë prezantuar pejgamberët me popujt e tyre.

46.      Vula e pejgamberllëkut i është vënë në mes të krahëve.

47.      I janë dëftuar disa nga sekretet e së ardhmes (gajbit).

B) Gjërat me të cilat Allahu e nderoi në ahiret.

48.      E përshkroi me dëshmi.

49.      I është mundësuar ndërmjetësimi.

50.      I pari që ringjallet.

51.      Është prijës (imam) dhe ligjërues i pejgamberëve.

52.      Të gjithë pejgamberët janë nën flamurin e tij.

53.      I pari që e kalon Siratin.

54.      I pari që troket derën e Xhennetit.

55.      I pari që hyn në Xhennet.

56.      I është dhënë vesileja (pozita më e lartë në Xhennet) dhe fadileja.

57.      I është dhënë mekami mahmud (ndërmjetësimi më i madh).

58.      I është dhënë Keutheri, i cili është lum në Xhennet.

59.      I është dhënë flamuri i falënderimit.

60.      Do ta ketë një karrige në të djathtë të Arshit.

61.      Është pejgamberi me më së shumti pasues.

62.      Eshte zoterou i tere njerezimit ne Diten e Kijametit.

63.      Është i pari që ndërmjetëson dhe ndërmjetësohet.

64.      Është përgëzues i njerëzve në ditën kur edhe pejgamberët shkojnë tek ai.

65.      Gjërat me të cilat frymëzohet gjatë kohës sa është në sexhde para Arshit janë gjëra që askujt as më parë dhe as më pas nuk do t’i jepen.

66.      Minberi i tij do të jetë mbi kroin e tij.

C) Gjërat me të cilat e nderoi në ummetin e tij.

67.      Është ummeti më i mirë.

68.      Allahu i ka quajtur muslimanë dhe i ka veçuar me Islam.

69.      Allahu ua ka përsosur fenë dhe ua ka plotësuar dhuntinë.

70.      Allahu ua ka larguar vështirësitë.

71.      Namazi i Isait pas imamit musliman.

72.      U janë lejuar preja dhe plaçka e luftës.

73.      Safat e tyre janë bërë sikurse safat e melaikeve.

74.      Tejemmumi dhe namazi kudo në tokë.

75.      Veçimi me Ditën e Xhuma.

76.      Veçimi me kohën e përmbushjes së duasë Ditën e Xhuma.

77.      Veçimi i tyre me Natën e Kadrit.

78.      Ummeti i tij janë dëshmitarët e Allahut në tokë.

79.      Janë të përshkruar fisnikërisht në fetë e mëparshme (shpalljet-librat e mëhershme).

80.      Nuk shkatërrohen me uri dhe as që mundet ndonjë armik i jashtëm ta shkatërrojë rrënjësisht.

81.      Është veçuar me namazin e jacisë.

82.      Beson në të gjithë pejgamberët.

83.      Është ruajtur nga shkelja e së drejtës së Allahut.

84.      Një grup ende vazhdon në të vërtetën.

D) Gjëra me të cilat Allahu e ka nderuar ummetin e tij në ahiret.

85.      Dëshmues për pejgamberët kundër popujve të tyre.

86.      Të parët që e kalojnë Siratin.

87.      Të parët që hyjnë në Xhennet.

88.      Veçimi me hyrjen në Xhennet nëpërmjet derës ejmen (të djathtë).

89.      Do të shpaguhet (kursehet nga zjarri i Xhehennemit) me ummete tjera.

90.      Nga shenjat e abdesit vezullojnë.

91.      Janë në numër më së shumti në Xhennet.

92.      Allahu do ta bëjë të kënaqur Pejgamberin e Tij në ummetin e vet.

93.      Shumëfishimi i shpërblimit edhe pse pak vepra.

94.      Tërë ummeti hyjnë në Xhennet përveç atyre që me mëkatet e tyre refuzojnë të hyjnë në Xhennet.

95.      Ndërmjetësimet e shumta në ummetin e tij.

96.      Dëshira e pabesimtarëve për të qenë muslimanë.

97.      Janë të fundit në dunja por të parët në ahiret.

98.      Një shifër e madhe hyjnë në Xhennet pa llogari.

99.      Kanë shenje me të cilën e njohin Zotin e tyre.

100.      Në këtë ummet do të ketë zotërinj të Xhennetit.

Përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, familjen, shokët dhe tërë pasuesit e tij gjer në amshim!

Burimi: http://saaid. net/Minute/ 76.htm

Përshtati në shqip: Sedat G. ISLAMI

25.03.2008, e martë

Vushtrri, Kosovë

MËSHIRA E MUHAMMEDIT, ALEJHI’S SELAM ME TË MOSHUARIT

Pejgamberi 0 Komente »

Muhammed Mus’ad Jakut

Kohëve të fundit bota i ka kushtuar më shumë vëmendje njerëzve të moshuar. Shoqëria ndërkombëtare shënoi hapa progresiv duke mbajtur seminare e takime në nivel ndërkombëtar përkitazi me çështjen e të moshuarve. Sinjali i parë ndërkombëtar përkitazi me këtë erdhi në vitin 1982 kur KB (Kombet e  Bashkuara) shpallën në prezence të 124 përfaqësues shtetesh se dekada e nëntë e shek. XX-të duhet të jete dekada e të moshuarve. ONS (Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë-WHO) në vitin 1983 ngriti moton “Le t’i shtojmë vjetëve të moshës  jetë”. Ndërsa në vitin 2002, në Madrid, KB-ja filloi punimet  për përgatitjen e planit dhe strategjisë për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të njerëzve të moshuar në vende të ndryshme të botës.

Fatkeqësisht, këto takime e seminare më shumë i kanë ngjarë një takimi ide-dhënës, ndryshe, praktikisht ndonjë veprim nuk u ndërmor dhe ndonjë strategji nuk u realizua.

Më mirë do të ishte për këto takime e seminare që të lexonin programin e Pejgamberit Muhammed dhe të mësonin në praktikë  kujdesin për të moshuarit. Muhammedi, alejhi’s selam ishte i pakrahasuar në këtë aspekt, ishte referencë për këtë çështje, që, moralisht e parimisht, do të duhej edhe nga të tjerët, tani, kur bëhen përpjekje e organizime për kujdes të të moshuarve, të merrej referencë.

Programi islam për kujdesin ndaj të moshuarve fillon dhe starton nga parime njerëzore duke refuzuar çdo favorizim tjetër në baze të gjinisë, ngjyrës apo fesë. Islami normat e përkujdesjes ndaj të moshuarve nuk i aprovon në baza racore apo fisnore, siç edhe ndodhë sot në botën e « moderuar ».

Ah ! sikur bota të merrte programin e Muhammedit, alejhi’s selam përkitazi me të moshuarit ; të bardhët e të zitë, arabët e joarabët, muslimanët e jomuslimanët.

Në vijim, disa nga mësimet e Muhammedit, alejhi’s selam përkitazi me të vjetrit :

1. Nxitja e të rinjve që të përkujdesen për të vjetrit.

Enesi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Nuk ndodhë që një i ri ta respektoj ndonjë të vjetër për hire të moshës së tij e që Allahu të mos ia caktoj dikë që do ta respektoj kur ky i ri të arrij pleqërinë“. ([1])

Kështu Muhammedi, alejhi’s selam i porosite të rinjtë për pleqtë ngase të rinjtë e sotit janë pleqtë e së nesërmes. Edhe pse koha kalon, porosia e Muhammedit, alejhi’s selam mbetet aktuale më shumë se kurrë; ajo porositë gjeneratë pas gjenerate…

Shiko në këtë përgjithësim : «Nuk ndodhë që një i ri ta respektoje një të vjetër», pra një plak apo plakë të vjetër, pa marrë parasysh se kush është, çfarë ngjyre ka, çfarë feje ka. Muslimani është i obliguar të respektojë të vjetrit pa marrë parasysh fenë, vendin apo ngjyrën e tyre. Enesi, Allahu e mëshiroftë, prapë transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: «Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, Allahu nuk e mëshiron askënd përveç mëshiruesit. O i dërguari i Allahut, ne te gjithë mëshirojmë?- e pyetën. Nuk është mëshirë të mëshirosh shokun tënd…mëshirë është të mëshirosh tërë njerëzit». ([2])

Muslimani mëshiron të gjithë njerëzit, të gjithë fëmijët, të gjithë të moshuarit…

2. Nderimi i të moshuarit respektim për Allahun

Musa Esh’ariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Vërtetë, madhërim dhe respektim për Allahun konsiderohet edhe respektimi i muslimanit të thinjur, hafizit të Kur’anit që as nuk tejkalon kufijtë por as nuk lë mangu në të, si dhe respektimi i prijësit të drejtë”. ([3])

Muhammedi, alejhi’s selam respektimin e të moshuarve e bëri pjesë të respektimit për Allahun, dhe, respektin për Krijuesin e lidhi me respektin për krijesën, duke përmendur edhe shenjen në bazë të së cilës respektohet: qimet e thinjura në kokë. Kështu, çdokujt që i shihen qimet e thinjura në kokë, duhet respektuar.

Edhe një gjë tjetër, që në këtë hadith e vërejmë, dhe qëe është me rëndësi, është edhe përparësia e të moshuarit në respekt ndaj hafizit (mbamendësit) të Kur’anit dhe prijësit. Sikur Muhammedi, alejhi’s selam na thotë: Respektoje të vjetrin ashtu siç e respekton prijësin, nderoje të vjetrin ashtu siç e nderon hafizin e sinqertë të Kur’anit.

Nën tekstin “Nderimi i muslimanit të thinjur” hyn çdo formë e përkujdesjes, si: përkujdesi shëndetësor, psikik, shoqëror, ekonomik, arsimor, e forma tjera të përkujdesjes që shoqëritë moderne thërrasin në to.

3. Nuk është musliman ai që nuk respekton të vjetrit.

Abdullah b. Amri transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: « Nuk është prej nesh ai që nuk mëshiron të vegjlit tanë dhe nuk nderon të vjetrit tanë». ([4])

Muslimanët që nuk kujdesen për të mëdhenjtë dhe të vjetrit, Muhammedi, alejhi’s selam i cilësoi si shtresë e ultë e shoqërisë, madje edhe u deklarua se të tillët nuk janë ithtarë të denjë të tij, ngase muslimani nderon të vjetrit dhe të moshuarit. Nëse e studiojmë sado pak këtë hadith, do të shohim se shprehja “Nuk nderon të vjetrit tanë” nuk është përdorur e pashquar “kush nuk respekton te vjetrit”, dhe këtë si aludim se çdokush që cenon të drejtën e të vjetrit, qoftë me fjalë, vepër apo aludim, ai në një mënyrë ka cenuar edhe autoritetin e Muhammedit, alejhi’s selam ngase të vjetrit edhe i cilësoi si të tij por edhe vet u cilësua si i tyre. Shprehja « Të vjetrit tanë » e dëshmon këtë.

4. Përshëndetja e të riut për të vjetrit.

Ebu Hurejre transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë : «I vogli përshëndet të vjetrin, këmbësori ulësin, pakica shumicën». ([5])

Pejgamberi, alejhi’s selam aprovoi shembuj të thjeshtë praktik që lidhen me aspektet e përgjithshme me ndikim në shoqëri. Filloi nga aspekti moral, i cili shfaqet në respektimin dhe nderimin e njerëzve të mëdhenj dhe të moshuar…Meqë i riu fillon në këtë gjë, pra në përshëndetje, atëherë edhe gjërat tjera i mbeten obligim atij, si: ndihma për të vjetrin, butësia me të, vizita e tij, etj.

5. Dhënia përparësi të vjetërve në respekt përgjithësisht.

Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: « Xhibrili më urdhëroi që të vjetërve t’iu jap përparësi». ([6])

Ky është një rregull i përgjithshëm për dhënie përparësi të vjetërve në respekt dhe nder. Pejgamberi, alejhi’s selam urdhëroi që dhënia ujë e të ngjashme të fillojnë nga të vjetrit: “Filloni me të vjetrit ose të mëdhenjtë”. ([7])

Pejgamberi, alejhi’s selam këtë tipar morali e kishte ushtruar në praktike. Aisheja rrëfen: “Pejgamberi, alejhi’s selam pastronte dhembet me misvak ndërsa mysafir i kishte dy burra. U frymëzua që misvakun për përdorim t’ia jepte atij më të vjetrit”. ([8])

Abdullah b. Ka’bi rrëfen: “Kur Pejgamberi, alejhi’s selam përdorte misvakun, ia jepte më pas njeriut më të vjetër ndërsa kur pinte uje, ia jepte më pas atij që e kishte në të djathtë”. ([9])

Ka thënë Ibni Bettali në koment të këtij hadithi: Në hadith sqarohet se të vjetërve iu jepet përparësi në përdorimin e misvakut (furçë dhëmbësh). Këtu hyjnë edhe: pija, ushqimi, ecja dhe të folurit([10]). Thënë shkurt, hyn çdo formë e respektit.

Po kështu, Muhammedi, alejhi’s selam urdhëroi që i vjetri t’iu bëhet njerëzve imam. Malik b. Huvejrithi transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: « E kur të vijë koha e namazit, njëri prej jush le ta thërrasë ezanin e më i moshuari nga ju le të dalë imam». ([11])

Ky hadith aspak nuk bie ndesh me porosinë që imam të bëhet më i dituri për Kur’anin. Përputhja në mes këtyre argumenteve gjendet në hadithin e Ebu Mes’ud el-Ensariut, i cili rrëfen se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Njerëzve iu behet imam më i dituri dhe ai që më së pari ka filluar të lexojë. Nëse leximi i tyre është i njëjtë, atëherë le të bëhet imam ai që më së pari ka bërë hixhretin. Nëse edhe në hixhret janë të njëjtë, atëherë ai që është më i moshuar”. ([12])

Në udhëzimin profetik, të vjetrit i jepet edhe e drejta e të folurit para tjerëve. Raf’i b. Hadixhi dhe Sehl b. Ebi Hathmeh rrëfejnë se Abdullah b. Sehli dhe Muhajjisah b. Mes’ud kishin shkuar në Hajber dhe ishin shpërndarë nëpër palma. Abdullahu ishte mbytur ndërsa Abdurrahman b. Sehli dhe Huvejsa e Muhajjisah, dy djemtë e Mes’udit, erdhën tek Muhammedi, alejhi’s selam që t’i rrëfenin për ngjarjen e shokut të tyre. Filloi Abdurrahmani të flas por meqë ishte më i vogli, Muhammedi, alejhi’s selam i tha: « Respektoje të madhin». Jahjaja, në koment të hadithit thotë: Le të flas ai që është më i madhi ! ([13])

6. Lehtësimi i dispozitave fetare për të vjetrit.

Në Islam dispozitat fetare gjithnjë nisen nga aspekti i lehtësimit për atë që është në hall, siç f.v. është i moshuari. Këtë, thekshëm, e vërejmë në shumicën e ligjeve dhe dispozitave islame. Feja ka paraparë lehtësime për të moshuarin në shpagime (keffarat), farze dhe vaxhibe.

Sa i përket shpagimeve, tregimi i Havle b. Tha’lebe, e cila diskutonte me Muhammedin, alejhi’s selam për burrin e saj Evs b. Samitin, i cili kishte rënë në mëkatin e dhiharit (thënies gruas: Ti për mua je sikurse nëna ime). Allahu përkitazi me këtë shpalli: “Ata që krahasojnë (me nëna) dhe largohen nga gratë e veta, e pastaj zbrapsen nga ajo që kanë thënë, janë të obliguar që para se të kontaktojnë ndërmjet vete ta lirojnë një rob. Kjo është dispozitë me të cilën porositeni, e All-llahu është i njohur hollësisht me atë që ju punoni. 4. E kush nuk gjen (rob për lirim), atëherë le të agjërojë dy muaj rresht para se të kontaktojnë, e kush nuk mundet, atëherë le t’i ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo (dispozitë ju shërben) për të vërtetuar ju se besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij (e jo zakonet injorante). Këto, pra janë përcaktimet e All-llahut. Ndërkaq, mohuesit kanë dënim të rëndë”. ([14])

Havles, e cila diskutonte me Muhammedin, alejhi’s selam për çështjen e burrit të saj, i cili ishte i shtyrë në moshë, Muhammedi, alejhi’s selam i tha: Urdhëroje ta lirojë një rob! Burri im nuk ka mundësi për këtë andaj a ka diç më të lehtë?-pyeti ajo. “Le të agjëroj dy muaj atëherë”- tha Pejgamberi, alejhi’s selam. Pasha Allahun, ai është i shtyrë në moshë dhe nuk mund të agjëroj- u përgjigj Havleja. Atëherë le të ushqej 60 të varfër…As këtë nuk ka mundësi- tha ajo. Atëherë ne do t’i ndihmojmë- tha Muhammedi, alejhi’s selam…([15])

Ndërsa sa iu përket farzeve, njeriut të moshuar iu lejua që gjatë ditës në Ramazan të hajë, pastaj të falet ulur apo edhe shtrirë nëse as ulur nuk mund të falet…Muadh b. Xhebelin, Muhammedi, alejhi’s selam e qortoi një ditë kur u fal si imam dhe ua zgjati njerëzve namazin. «O Muadh!, a provokues je ti? (3 herë) Sikur t’ua falje namazin me leximin e kaptinave mesatare, si: Sebbihisme Rabbike, vesh-Shemsi ve duhaha, vel-Lejli idha lagsha, ngase pas teje falet i vjetri, i dobëti (në shëndet) dhe nevojtari». ([16])

Pastaj, të moshuarit iu lejua që në vend të tij të dërgoj ndonjë zëvendës për kryerjen e ritualit të Haxhit. Fadli rrëfen se një grua nga Hath’ami kishte thënë: « O i dërguari i Allahut, babai tim i është bërë obligim Haxhi por është i shtyrë në moshë dhe nuk mund të ngjitet dot mbi shpinën e devesë së tij. Pejgamberi, alejhi’s selam i tha: Atëherë ti bëje hahxin për të!». ([17])

7. Anashkalimi i të moshuarve në luftëra dhe mos mbytja e tyre.

Muhammedi, alejhi’s selam shokët dhe komandant[t ushtarakë i porosiste: “Marshoni me emrin e Allahut, me Allahun, në fenë e të dërguarit të Allahut. Mos mbytni asnjë plak të vjetruar, as fëmijë dhe as të vegjël, as gra, dhe mos kaloni kufijtë por rregulloni e bëni mirë ngase Allahu i do ata që bëjnë mirë”. 

Ky është urdhër nga Muhammedi, alejhi’s selam për mos mbytje të pleqve, grave dhe fëmijëve, të cilët nuk marrin pjesë në luftë. Një gjë e tillë në botë ndodhi 13 shekuj pas vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam. Më 12 gusht 1949 në Gjenevë, u dakorduan që qytetarët që nuk marrin pjesë në luftë të mos vriteshin, por edhe kjo marrëveshje, sikurse ajo e para per përkujdesje ndaj pleqve, mbeti vetëm ngjyrë në letër, ndryshe, vetëm në Kosove, shumica e viktimave të luftës ishin njerëz të pafajshëm([18]).

Shembuj nga mëshira e Muhammedit, alejhi’s selam me të vjetër

Këta janë disa shembuj praktik nga jeta e Muhammedit, alejhi’s selam që dëshmojnë mirësjelljen e tij me njerëzit e moshuar…

1. Mëshira dhe butësia me Utben

Utbe b. Rebiah, njëri nga pleqtë politeist në periudhën e Mekkes, erdhi tek Pejgamberi, alejhi’s selam dhe filloi t’i fliste për ta bindur të largohet nga kjo fe. Muhammedi, alejhi’s selam vetëm e dëgjonte pa reaguar aspak dhe atë në asnjë mënyre. A je ti më i mirë apo Abdullahu ? A je ti më i mirë apo Abdul Muttalibi ? Nëse thua se nuk je më i mirë se ata, atëherë ata kanë adhuruar zotat, që ti po i cilëson me të meta. Ndërsa nëse thua se ti je më i mirë se ata, atëherë fol se po të dëgjoj ngase na ka rënë hije e keqe tek arabët shkaku yt saqë për ty flasin se je magjistar, falltar dhe se nxit që të luftojmë kundër njëri tjetrit derisa ta shkatërrojmë veten (fisin) tonë([19]).

Kur Utbe e pa se Muhammedi, alejhi’s selam nuk po reagon, përkundrazi është shumë gjakftohtë dhe i qetë, iu kthye me të butë dhe i tha : O nipi im, nëse dëshiron para, të japim, nëse do pozitë, të bëjmë zotëriun tone, nëse je i sëmure, do të shpenzojmë tërë pasurinë derisa të shërojmë…Utbeja fliste ndërsa Pejgamberi, alejhi’s selam e dëgjonte me respekt. Kur përfundoi, Pejgamberi, alejhi’s selam me moral dhe edukatë, iu drejtua: O babai i Velidit, a e kreve? Po- ia ktheu. Atëherë dëgjo prej meje!- I tha Muhammedi, alejhi’s selam dhe filloi t’ia lexonte disa ajete të kaptinës Fussilet([20]).

2. Lirimi i pleqve nga robëria

Kur ra peng lufte Amr b. Ebu Sufjani në luftën e Bedrit, Ebu Sufjanit i propozuan: Liroje me pagesë birin tënd ! Si, të jap edhe para edhe gjak; ata e vranë Handhalen ndërsa tash ta shpaguaj Amrin?! Lëreni në duart e tyre aq sa ata të dëshirojnë.

Derisa gjendja ishte kjo, një plak musliman shkon në Mekke për ta kryer Umren. Bazuar në marrëveshjen që kishin se askujt nuk do t’ia ndalonin kryerjen e ritualeve fetare, ky plak, i quajtur Sa’d b. Nu’man b. Ekkal, shkoi atje por u robërua nga Sufjani për shkak të rënies peng në duar të muslimanëve të birit të tij, Amrit. Erdhën familjaret e Sa’dit dhe kërkuan nga Muhammedi, alejhi’s selam që ta liroj Amrin në mënyre që Sa’di të lirohet dhe të kthehet në shtëpi. Pejgamberi, alejhi’s selam e liroi menjëherë dhe e dërgoi në Mekke ku më pastaj edhe Sufjani e liroi Sa’din plak([21]).

3. Butësia dhe nderi për Ebu Kuhafen

Kur Pejgamberi, alejhi’s selam hyri në Mekke si çlirues në vitin 8 h. në Ramazan (janar 630) dhe hyri në Qabenë e Shenjtë, erdhi Ebu Bekri me babain e tij tek Pejgamberi, alejhi’s selam që ta pranoj Islamin. Kur e pa Ebu Kuhafen, Muhammedi, alejhi’s selam me plot mëshirë e butësi tha: Përse nuk e lije plakun në shtëpi që ne të vijmë tek ai? O i dërguari i Allahut, ky më shumë ka nevojë që të vjen tek ti se sa ti tek ky- iu përgjigj Ebu Bekri.

Muhammedi, alejhi’s selam e uli pranë, e nderoi, dhe i tha: Pranoje Islamin e ai e pranoi.

Meqë Ebu Kuhafe ishte thinjur, Muhammedi, alejhi’s selam urdhëroi që t’i ngjyroseshin flokët e thinjura me kanë([22]).

Përmbyllje

Nëse feja islame i ka kushtuar rëndësi të veçantë të moshuarve dhe të drejtave të tyre, siç mësove më lart, atëherë ligjeve dhe rregulloreve nëpër vendet tona iu mbetet që të trasojnë këtë rrugë profetike dhe të shuajnë etjen nga ky krua. Nuk ka dobi në një kushtetutë e rregullore që nuk përfshin të drejtat dhe përkujdesjen e të moshuarve. Madje, çka tjetër përveç të dobëtëve dhe pleqve ruan shoqëritë nga shkatërrimi?!

Rezymenë e udhëzimit profetik përkitazi me moralin dhe edukatën për të vjetrit e moshuarit, do të mund ta përmblidhnim në këto pika:

·        Përkujdesi për të moshuarit është barrë e tërë shoqërisë, e në veçanti e të rinjve.

·        Përkujdesi për të moshuarit përfshin çdo aspekt të jetës; shëndetësor, ekonomik, shpirtëror, mental, shoqëror, etj.

·        Respektimi i të vjetërve në sjelljet e përditshme dhe të ndryshme shoqërore.

·        Dhënia përparësi të vjetërve në respektim çdoherë.

·        Lehtësimi fetar për të vjetrit dhe të moshuarit.

Përshtati në shqip:

Sedat G. ISLAMI

23-3-2008, e diele

Vushtrri, Kosovë

EZANI I PEJGAMBERIT, ALEJHI’S SELAM?

Pejgamberi 0 Komente »

A ka thirrë ezan ndonjëherë Muhammedi, alejhi’s selam?

Es Selamu alejkum ve rahmetullahi veberkatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Hoxha im i nderuar, Allahu të ruajt ty dhe të bekoftë në jetën, diturinë dhe kohën tënde! Sot, për herë të parë, mësova diç që më parë nuk e kisha dëgjuar andaj kam nevoje për sqarimin tënd. “Pejgamberi, alejhi’s selam nuk e ka thirre ezanin për një urtësi, të cilën nuk e ka definuar, prerazi, askush, kështu që janë dhënë mendime të ndryshe, si:

  • Pejgamberi, alejhi’s selam ka qenë imam e jo muezzin ngase po ta thërriste ezanin ata që nuk do t’i përgjigjeshin do të bëheshin renegatë.
  • Ai ishte misionar (daii) dhe nuk duhej të dëshmonte për veten.
  • Sikur ta thërriste ezanin dhe të dëshmonte: Dëshmoj se Muhammedi është i dërguar Allahut (Esh’hedu enne Muhammeden Resulullah) të tjerët do të mendonin se dikush tjetër po e thërret ezanin.
  • Është thënë se ezanin e kishte parë në ëndërr një sahabijj andaj atij iu ngarkua kjo detyrë.
  • Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Imami është Garantues (Vëzhgues dhe Mbikëqyrës) ndërsa muezzini është kujdestari (të cilit i është lënë në besë-amanet kujdesia për kohën e namazit). O Zoti im!, udhëzoji imamët dhe fali muezzinët!” ([1]), kështu që amanetin ia ka lënë tjerëve.
  • Muhammedi, alejhi’s selam ishte i zënë dhe nuk mund ta thërriste ezanin.
  • Shejh Izzuddin b. Abdus Selami ka thënë: Pejgamberi, alejhi’s selam nuk e ka thirrë ezanin për arsye se ai, siç është vërtetuar tek Muslimi, kur e bënte një punë, e bënte atë vazhdimisht. Ai, alejhi’s selam, nuk e thirrte ezanin për arsye se ishte i zënë me kumtimin e shpalljes, siç ka thënë Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Po të mos ishte posti i halifes, do ta thirrja ezanin”.

Hoxhë i nderuar, do të isha ndier shumë mirë nëse ju do të kishit dhënë komentet tuaja rreth kësaj!

Përgjigja:

We alejkumus selam ve rahmetullahi ve berekatuhu!

Edhe mbi ju qofshin paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut!

Edhe juve Allahu iu ruajt dhe iu bekoftë në jetën, diturinë dhe kohën tuaj si dhe qoftë i kënaqur me ju!

Për këtë gjë nuk ka ndonjë tekst të prerë por e tëra që thuhet është vetëm përpjekje individuale e dijetarëve.

Kur lexova në fillim se “Ai ishte misionar (daii) dhe nuk duhej të dëshmonte për veten” më shkoi ndërmend, automatikisht, se ai, alejhi’s selam, gjatë hutbeve (ligjëratave të së premtes) dëshmonte për veten e tij, që d.t.th., se argumentimi është i dobët. Edhe mendimi tjetër se “…të tjerët do të mendonin se dikush tjetër po e thërret ezanin”, është i dobët ngase ai kishte dëshmuar pejgamberllëkun për vete.

Ndërsa përkitazi me mendimin se “…se po ta thërriste ezanin ata që nuk do t’i përgjigjeshin do të bëheshin renegatë”, nuk qëndron. Thirrja në Islam është më e madhe se sa thirrja në namaz dhe mos përgjigja në të parën është shumë më e rrezikshme se sa kjo, për të cilën po diskutojmë. Pejgamberi, alejhi’s selam ishte thirrës për tek Allahu andaj çdokush që refuzonte ose nuk i përgjigjej misionit të tij, ishte pabesimtar.

Mendimi “Është thënë se ezanin e kishte parë në ëndërr një sahabijj andaj atij iu ngarkua kjo detyrë” nga vet formulimi i tij është i dobët ngase shprehjet si “kile - është thënë” tek dijetarët identifikojnë vetëm mendimet e dobëta. Pastaj, edhe nga aspekti tjetër, ky mendim cilësohet i dobët për faktin se aprovimi i ezanit është bërë me shpallje-vahj, që automatikisht është bërë moto e tij dhe ummetit të tij, paqja dhe mëshira qofshin mbi të! Aprovimi i Muhammedit, alejhi’s selam për diç është pjesë e legjislacionit islam dhe nuk mund të paramendohet një gjë e tillë siç është thënë në atë mendim.

Mendimi se Muhammedi, alejhi’s selam ishte i zënë është po kështu i papranuar për arsye se ai, alejhi’s selam, qëndronte në I’tikaf gjatë Ramazanit dhe ka patur rastin dhe mundësinë që ta thërras ezanin.

Ndoshta mendimi më i qëlluar është ai i Shejh Izzuddinit edhe pse duket se ka vend për komente tjera. Kjo i ngjan argumentimit të dijetarëve për atë se Muhammedi, alejhi’s selam nuk kishte bërë Umre në Ramazan edhe pse kishte nxitur për të, apo agjërimit të gjashtë ditëve të Shevvalit, për të cilat nxiste edhe pse vet nuk është transmetuar t’i ketë agjëruar ato ditë. Ne shohim se sa shumë njerëzit bëjnë Umren në Ramazan për arsye se Muhammedi, alejhi’s selam nxiti për të andaj sikur edhe vet ta kishte bërë, ajo shifër njerëzish do të shumëfishohej. Dëshmi për këtë është edhe rasti i Ditës së Arafatit e cila para disa vitesh rastisi të jetë Ditën e Xhuma, që po kështu kishte ndodhur edhe në të gjallë të Muhammedit, alejhi’s selam, andaj njerëzit u grumbulluan si jo më parë; ishin shumëfish më shumë.

Urtësia e mos këndimit të ezanit, siç duket, është se Muhammedi, alejhi’s selam ndonjëherë ka nxitur për ndonjë punë por nuk e ka bërë atë për ndonjë arsye-urtësi të caktuar, ngase, po të përputhej fjala e tij me veprën e tij, atëherë ai rit do të ishte shumë më i përforcuar dhe ndoshta në kryerjen e tij njerëzit do të gjenin probleme e vështirësi, apo ndoshta edhe do të luftonin njerëzit për kryerjen e atyre sunneteve (se cili do ta kryente më parë). 

Këtë mendim e përkrah edhe fakti se përputhja e fjalës dhe veprës Ditën e Hajberit kur i urdhëroi që t’i rruanin kokat gati sa nuk shkaktoi konflikt për shkak të ngutisë për ta kryer urdhrin e Muhammedit, alejhi’s selam, siç transmeton Buhariu në Sahihun e tij. 

Pejgamberi, alejhi’s selam nxiti për ezan; sqaroi se “Muezzinët do t’i kenë qafat më të ngritura ne Ditën e Llogarisë([2])”, se ”Po ta dinin njerëzit çfarë vlere ka ezani dhe safi i parë do të hidhnin short([3]) për të”, andaj sikur vepra e tij të përputhej me fjalët e tij, në këtë rast, ndoshta do të vinte deri edhe tek konfrontimi i njerëzve për kryerjen e këtyre sunneteve.

Këto që thashë, nëse janë të qëlluara, atëherë janë nga bekimi i Allahut, ndryshe, janë prej meje dhe harresës apo pështjellimit të shkaktuar nga djalli.

Kërkoj falje nga Allahu dhe pendohem tek Ai, Allahu është më i dijshmi!

Shejh AbduRrahman es Sehim

www.almeshkat. net

Përshtati në shqip: Sedat G. ISLAMI

30-4-2008, e mërkurë

Vushtrri, Kosovë


[1] Transmetojnë Imam Amedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu ndërsa Albani në Sahihu ve daifu suneni Ebi Davud, 517 & Sahihu ve daifu suneni’t Tirmidhijj, 207, e ka cilësuar autentik.

[2] Muslimi.

[3] Buhariu dhe Muslimi.


Dizajn nga N.Design Studio.
RSS për postimet RSS për komentet Identifikohu ose Regjistrohu